Si ta fshish llogarinë
Llogarinë e fshin vetë, në Shkrimor ose në aplikacionin për celular. Fshirja është e përhershme: ja çfarë fshihet dhe si bëhet.
Besojmë se me Shkrimorin nuk do të kesh arsye për t’u larguar. Megjithatë, vendimi është i yti dhe llogarinë e fshin vetë, pa pasur nevojë të na shkruash. Para se ta bësh hapin, ja çfarë duhet të dish.
Çfarë fshihet
- Dokumentet, dosjet dhe skedarët e tu. Dokumentet që i ke ndarë me të tjerë nuk hapen më as për ta.
- Fjalët e ruajtura dhe përjashtimet e kontrollit.
- Njoftimet dhe cilësimet e tua.
- Lidhjet në të gjitha pajisjet: del kudo menjëherë.
- Abonimi, nëse ke një: anulohet menjëherë. Faturat e kryera ruhen vetëm aq sa e kërkon ligji.
- Ekipi, nëse je pronari i tij: shpërbëhet, ndërsa anëtarët mbeten me planet e tyre.
Komentet që ke lënë te dokumentet e të tjerëve mbeten, por pa emrin tënd. Fshirja nuk kthehet mbrapsht, prandaj shkarko më parë dokumentet që do t’i mbash, p.sh. si .docx (shih Importo dhe eksporto dokumentet).
Në kompjuter ose në shfletues
- Hap Shkrimorin, kliko “Cilësimet” dhe kalo te “Llogaria”.
- Kliko “Fshi llogarinë…”. Faqja e fshirjes hapet në shfletues.
- Për siguri, mund të të kërkohet të lidhesh edhe një herë: me fjalëkalim (dhe me kodin e verifikimit me dy hapa, nëse e ke aktiv) ose me Google, Apple a Facebook.
- Faqja të tregon çfarë fshihet. Shëno “Kuptoj që kjo nuk mund të kthehet mbrapsht” dhe kliko “Fshi llogarinë përgjithmonë”.
Në aplikacionin për celular
Te “Profili” prek “Fshi llogarinë”. Ekrani të tregon çfarë fshihet dhe të kërkon të konfirmosh që je ti: me fjalëkalim (dhe me kodin e verifikimit me dy hapa ose një kod rezervë, nëse e ke aktiv), ose duke u lidhur edhe një herë me Apple, Google a Facebook, nëse llogarinë e ke hapur me to. Pastaj konfirmo fshirjen.
Para se të vendosësh
Nëse shqetësimi yt është siguria, shpesh mjafton të dalësh nga pajisjet e panjohura dhe të ndërrosh fjalëkalimin; shih Pajisjet dhe seancat aktive. Po nëse thjesht nuk dëshiron të paguash më, anuloje abonimin te “Cilësimet” → “Faturimi” dhe vazhdo me planin Falas, pa asnjë detyrim.
Dhe nëse një ditë ndryshon mendje, mund të regjistrohesh sërish, edhe me të njëjtin email. Llogaria do të jetë e re, pa dokumentet, historikun dhe pagesat e mëparshme.